Punëtori i sigurimit që u plagos gjatë grabitjes së armatosur në Veternik, tashmë është transferuar për në Turqi për trajtim të mëtejmë.
Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Anestezionit me Mjekim Intensiv, Gazmend Sapahija.
Lidhur me rastin, televizioni kishte raportuar javën e kaluar për gjendjen e tij.

Xhavit Gashi, drejtor i Ortopedisë në QKUK, pati thënë për Klan Kosova se ka gjasa që punëtori i sigurimit të mbetet i palëvizshëm.
“Dje (25 mars) kanë qenë kolegët nga reparti ynë dhe e kanë vizituar, në momentin që është bërë zgjimi nga anestezioni, në testimin preliminar nuk ka pasë lëvizje”.
“Sipas njohurive, sërish është dashtë të bëhet intubimi i pacientit pasi gjendja nuk ka qenë stabile. Nga ajo që kemi vërejtur ka plagë, të cilat e kanë dëmtuar në masë shumë të madhe boshtin kurrizor në pjesën e shpinës. Sipas të gjitha gjasave, ka mbetur i palëvizshëm”, pati deklaruar Gashi.
Më 17 mars, te qendra tregtare “Albi Mall” në Veternik ndodhi një grabitje e armatosur. Të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri ndaj punëtorëve të sigurimit të një kompanie që bën bartjen e parave për një bankë.
Nga ky rast, i plagosur mbeti një pjesëtar i sigurimit, sikurse edhe njëri nga të dyshuarit.
Ky i fundit, i nacionalitetit serb, ishte arrestuar dhe ishte dërguar nën arrest për trajtim në QKUK, por nuk kishte arritur t’u bëjë ballë plagëve dhe kishte vdekur.

You must be logged in to post a comment Login